Regjistrimi i nxënësve për në klasën e parë të vitit të ri shkollor, në shkollat publike nis në dy javët e fundit të muajit qershor. Afati i regjistrimit zgjat për një periudhë prej 10 ditësh. Regjistrimi përfundimtar mbyllet në fillim të shtatorit, ndërsa data e nisjes së vitit shkollor bëhet e ditur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Fëmijët duhet të regjistrohen në shkollën pranë zonës së tyre të banimit, brenda 6 ditëve të para të periudhës 10 ditore. Përgjatë 4 ditëve të tjera, mund të regjistrohen dhe fëmijë të njësive apo zonave të tjera, në varësi të vendeve bosh. Për të aplikuar nevojiten disa dokumenta të posaçme, një pjesë e të cilave mund të merren në e-Albania. Dokumentat e nevojshme për regjistrim janë:
- certifikatë personale e fëmijës (merret në e-Albania);
- vërtetim nëse fëmija ka ndjekur arsimin parashkollor;
- vërtetim i vendbanimit;
- vërtetim i vaksinimit nga qendra përkatëse shëndetësore;
- vërtetim për kontrollin nga okulisti.
Nëse prindi nuk paraqet çertifikatën personale të fëmijës, fëmija lejohet të regjistrohet dhe të ndjekë shkollën deri në afatin e caktuar nga drejtori/esha i/e shkollës për paraqitjen e certifikatës. Vërtetimi i vaksinimit është i domosdoshëm për regjistrimin e fëmijës në shkollë.
Të gjithë nxënësit e klasave të para në shkollat publike përfitojnë nga skema e shpërndarjes së librave falas. Tekstet e klasave të para shpërndahen të reja dhe të papërdorura më parë. Shpëndarja kryhet në mjediset e shkollës.
Nxënësit që e kanë shtëpinë 2 km larg nga shkolla përfitojnë transport falas.