Të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë të drejtën të pajisen me pasaportë biometrike. Kohëzgjatja normale e vlefshmërisë së pasaportës është 10 vjet. Procedura është e regulluar me anë të udhëzimeve ligjore përkatëse. Pajisja me pasaportë biometrike për herë të parë mund të bëhet nga personi vetë, nga prindi për fëmijën nën 16 vjeç, dhe me prokurë të posaçme për një përson nën kujdestari, apo një person tjetër. Personi për të cilin aplikohet duhet të jetë i pajisur paraprakisht me letërnjoftim elektronik (kartë identiteti). Në mungesë, aplikimi për letënjoftim bëhet njëkohësisht me aplikimin për pasaportë biometrike. Procedura e njëjtë ndiqet edhe për qytetarët që duan të rinovojnë pasaportën e lëshuar para datës 31 dhjetor 2011. Hapat e thjeshtuar janë si më poshtë.

  1. Blerja e kuponit për pasaportë në zyrat e Postës Shqiptare.

Fillimisht qytetari duhet të blejë kuponin në një nga pikat e Postës Shqiptare. Qytetari zgjedh mes dy lloje kuponash. Kuponi i thjeshtë për pasaportë kushton 7,500 lekë dhe ka një periudhë pritjeje prej 15 ditësh. Kuponi për pasaportë me aplikim të përshpejtuar kushton 18,000 lekë dhe ka një periudhë pritjeje prej 2 deri në 3 ditë.

  1. Plotësimi i Formularit të Vetëdeklarimit përmes portalit e-Albania dhe pritja për aprovim nga ana e Policisë së Shtetit.

Qytetari duhet të hapë profilin në portalin e-Albania dhe të kërkojë shërbimin Aplikim për kartë identiteti dhe pasaportë, nënkategoria: Aplikim i formularit për lëshim të pasaportës. Për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit, qytetari duhet të jetë i pajisur me:

  • 2.1.     fotografi dokumenti në përmasat 4×5 cm, në formatin .jpg, .jpeg ose .png;
  • 2.2     foto të kuponit në rast se aplikimi është i përshpejtuar;
  • 2.3     dokument të skanuar të prokurës së posaçme në rast se aplikimi bëhet për një person tjetër.

Formulari i Vetëdeklarimit shqyrtohet nga Policia e Shtetit brenda 1 dite kur procedura është e përshpejtuar dhe brenda 7 ditëve kur është normale. Ajo njofton aplikuesin me sms dhe e-mail për pranimin apo refuzimin e aplikimit.

  1. Aplikimi për takim në zyrën lokale të kompanisë koncesionare Aleat dhe paraqitja në këtë zyrë në datën dhe orën e përcaktuar.

Në rast se aplikimi pranohet, qytetari duhet të rezervojë një takim në zyrën e kompanisë Aleat të bashkisë/njësisë administrative në të cilën ai është i regjistruar. Regjistrimi i takimit bëhet online përmes portalit www.aleat.al, ose duke ndjekur udhëzimet e dërguara nga Policia e Shtetit në lajmërimin elektronik të pranimit të aplikimit.

Qytetari duhet të paraqitet në zyrën përkatëse të koncesionarit, në datën dhe orarin që ka përcaktuar në aplikim. Ai duhet të jetë i pajisur me kuponin e blerë në Postën Shqiptare.

  1. Tërheqja e pasaportës biometrike në Rajonin e Policisë/ Komisariatin e Policisë.

Pas përfundimit të afatit të pritjes prej 15 ose 2 deri në 3 ditë* bazuar në kuponin e blerë në Postën Shqiptare, qytetari mund të bëjë tërheqjen e pasaportës në Rajonin e Policisë/ Komisariatin e policisë së bashkisë/ njësisë administrative ku bëri aplikimin. Aplikanti mund ta tërheqë vetë pasaportën, ose mund të autorizojë një person tjetër përmes një prokure të posaçme noteriale, të firmosur nga vetë aplikanti.

 

*Përjashtohen ditët pushim të festave zyrtare dhe vonesat si pasojë e gabimeve në dokumentacion.

**Për informacion plotësues luteni të vizitoni ADISA – Aplikimi për pasaporte dhe portalin www.aleat.al, ose kontaktoni Qendrën e Informimit për Shërbimet Publike – ADISA, në numrin e telefonit pa pagesë 0800 0118, nga e hëna në të premte, gjatë orëve 08:00 – 19:00.