Sistemi elektronik i kërkesave dhe përgjigjeve “Pyet shtetin” është platforma me një ndalesë e cila lehtëson ndjeshëm procedurën e zbatimit të të drejtës së informimit për qytetarët dhe grupet e interesit. Sistemi mundëson marrjen e informacionit përmes një procedure të thjeshtuar dhe miqësore për qytetarin e grupet i interesuara. Aktualisht shërbimi ofrohet për një listë me 59 institucione në nivel qendor dhe vendor. Përmes sistemit elektronik:
- a) bëhet një numër i palimituar kërkesash për informim;
- b) kontrollohet historiku i kërkesave aktive dhe të shkuara;
- c) gjurmohet faza e dhënies së informacionit;
ç) ulet koha e marrjes së tij;
- d) zerohet kostoja e informacionit të kërkuar, për saqë pajisja me të bëhet në mënyrë elektronike.
Në rast se përgjigja vonon, apo informacioni i kërkuar cungohet, sistemi mundëson ankimin tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale.
Për të pasur qasje në sistemin elektronik të kërkesave dhe përgjigjeve nevojitet një adresë funksionale elektronike ose profil aktiv në Facebook. Pëmes adresës elektronike bëhet rregjistrimi në sistem dhe hapja e llogarisë përsonale të qytetarit. Për të bërë një kërkesë të re për informim veprohet si më poshtë:
- klikohet në rubrikën “Kërko informacion”;
- shënohen të dhënat e kontaktit të kërkuesit (adresa postare dhe numri i telefonit;
- përzgjidhet institucioni të cilit i drejtohet kërkesa;
- të dhënat e kontaktit të koordinatorit të informimit përfshihen automatikisht në kërkesë;
- shkruhet qartë kërkesa dhe përshkrimi i informacionit të kërkuar;
- përzgjidhet forma në të cilën kërkohet të merret informacioni i kërkuar (i printuar, apo elektronikisht);
- rishikohet kërkesa;
- dërgohet për shqyrtim.
Kërkuesi njoftohet me një email në adresën e tij elektronike për dërgesën e kërkesës për informim. Ai mund të gjurmojë procesin duke hyrë në llogarinë e tij personale në “Pyet shtetin”. Përgjigja e institucionit dërgohet në emailin e tij personal. Nëse afati për përgjigje është tejkaluar, kërkuesi njoftohet me email nga sistemi elektronik për rrugën që duhet të ndjekë për ta ankimuar veprimin, apo mosveprimin e autoritetit publik të cilit iu drejtua për informacion.