Nëse kërkesa për informim është e paqartë, autoriteti publik kontakton kërkuesin brenda 48 orëve nga marrja e kërkesës dhe kërkon sqarimin e saj. Nëse kërkesa nuk ka nevojë për sqarime shtesë, autoriteti publik është i detyruar të përgjigjet me shkrim jo më vonë se 10 ditë pune zyrtare, përveç rasteve kur në varësi të informacionit të kërkuar ligji përcakton afate të tjera. Llogaritja e ditëve fillon nga data e marrjes së kërkesës nga autoriteti publik. Kur ky i fundit nuk e zotëron informacionin e kërkuar, ai e përcjell kërkesën tek autoriteti publik kompetent, duke vënë në dijeni edhe kërkuesin. Në këtë rast, autoriteti i dytë publik është i detyruar t’i kthejë përgjigje kërkuesit jo më vonë se 15 ditë pune, nga data e pranimit të kërkesës në autoritetin e parë së cilit iu drejtua fillimisht. Kur autoriteti publik ka nevojë për më shumë kohë për shqyrtimin e kërkesës, ai duhet të njoftojë menjëherë kërkuesin.

Në parim, shërbimet e administratës publike ofrohen pa pagesë. Informacioni i kërkuar në rrugë elektronike jepet falas. Ndërsa për informacionin e lëshuar si dokument i printuar mund të aplikohen tarifa, në bazë të specifikave të kërkuara si psh. numri i faqeve, koloriti (printim me ngjyra ose bardh e zi), formati i printit (A2, A3, etj.), etj. Autoriteti publik ka detyrim të publikojë koston e riprodhimit të informacionit të kërkuar dhe koston e dërgimit të tij, kur parashikon dërgesën e materialit në rrugë postare. Kur kostoja cilësohet e lartë, autoriteti publik duhet të njoftojë paraprakisht kërkuesin për të marrë dakordimin e tij. Përfituesit e ndihmës shoqërore e marrin shërbimin falas me limit deri në një numër të caktuar faqesh për çdo kërkesë për informim të kryer.

Autoriteti publik e kthen përgjigjen sipas formatit të përcaktuar nga kërkuesi i informacionit (dorazi, me postë normale, me postë elektronike). Nëse formati i përgjigjes nuk është përcaktuar, autoriteti publik ka të drejtë të zgjedhë formën e përgjigjes me koston ekonomike më të ulët.