Në çerdhe regjistrohen fëmijët e grupmoshës 6 muaj deri në 3 vjeç. Fëmijët duhet të regjistrohen në çerdhen publike nga prindi/kujdestari ligjor brenda datave të përcaktuara nga bashkia. Sugjerohet që regjistrimi të kryhet sa më shpejt dhe në njësinë e vendbanimit përkatës. Nëse vendet bosh në njësinë e vendbanimit janë të zëna, prindi duhet të drejtohet në një çerdhe tjetër.

Për të aplikuar, nevojiten disa dokumenta të posaçme, disa prej të cilave mund të merren nga prindi përmes profilit së tij/saj në portalin e-Albania.

Dokumentat e nevojshme për regjistrimin në çerdhe:

  • certifikatë personale e fëmijës (bashkëngjitur një fotografi e tre muajve të fundit);
  • certifikatë familjare (merret në e-Albania);
  • vërtetim nga mjeku i familjes për gjendjen shëndetësore të fëmijës. Ky vërtetim duhet të tregojë që fëmija ka kryer vaksinat e nevojshme në qendrën shëndetësore, sipas kalendarit të përcaktuar nga strukturat e shëndetit publik;
  • analizat e koprokulturës (feçe);
  • kartela e konsultorit;
  • parapagesë 5000 lekë që shërben si garanci për çerdhen. Në përfundim të edukimit në çerdhe ose kur prindërit duan të çregjistrojnë fëmijën nga çerdhja, parapagesa u kthehet mbrapsht. Parapagesa nuk zbatohet domsodoshmërisht nga të gjitha bashkitë njësoj.

Nëse prindi nuk ka qasje në e-Albania, ai/ajo duhet të dorëzojë pranë komisionit rregjistrues në çerdhe një fotokopje të kartës së identitetit të prindit/ kujdestarit ligjor, dhe të plotësojë një deklaratë për mbrojtjen e të drejtave personale. I gjithë dokumentacioni paraqitet pranë komisionit. Ai e shqyrton dhe pranon ose jo rregjistrimin.

Shërbimi i regjistrimit është pa pagesë. Ndjekja e çerdhes ka një tarifë mujore, mospagesa e të cilës mund të sjellë penalitete. Tarifat e shërbimit dhe kategoritë e personave që përfitojnë nga reduktimi apo përjashtimi i pagesave përcaktohen nga secila bashki më vete, në zbatim të politikave të veta shoqërore.

 

* Informacioni i paraqitur është i përgjithshëm dhe ka qëllim informues dhe udhëzues. Ai nuk mund të përdoret si informacion zyrtar. Udhëzimi specifik dhe final për procesin e regjistrimit në çerdhe që duhet ndjekur nga prindi/ kujdestari ligjor, përcaktohet nga bashkia përkatëse.