E-Albania është një portal qeveritar i cili ofron në formë elektronike shërbime të ndryshme publike për të gjithë qytetarët shqiptarë në Republikën e Shqipërisë, si dhe për shtetasit e huaj që kanë leje qëndrimi në Shqipëri. Për të marrë këto shërbime, duhet të keni një llogari në portal. Për të krijuar një llogari, ndiqni hapat e mëposhtëm:
- Hapni në kompjuterin/telefonin tuaj website-n e-albania.al
- Klikoni “Regjistrohu” lart në të djathtë të faqes
- Plotësoni të dhënat që do t’ju paraqiten në formularin të regjistrimit. Për të plotësuar këtë formular nevojitet:
- Kodi i përdoruesit, në të cilin duhet të vendosni numrin personal të identifikimit, të cilin mund ta gjeni në kartën tuaj të identifikimit ose në pasaportë. Shtetasit e huaj duhet të vendosin numrin e identifikimit i cili iu është dhënë bashkë me lejen e qëndrimit.
- Data e skadimit të kartës së identitetit në formatin datë/muaj/vit.
- Fjalëkalimi, i cili duhet të ketë 8-12 karaktere dhe nuk duhet të fillojë ose mbarojë me hapësira.
- Adresa e E-mail, ku do t’ju dërgohet link-u i aktivizimit të llogarisë dhe njoftime të tjera.
- Numri i celularit në formatin shqiptar ‘06xxxxxxxx’.
- Pyetja e sigurisë dhe përgjigja e pyetjes. Kjo pyetje bëhet për të shtuar sigurinë dhe vërtetësinë e llogarisë tuaj.
- Të dhënat personale, si: emri, atësia, mëmësia, mbiemri, datëlindja*.
*Të dhënat personale të mësipërme duhet të jenë në përputhje me të dhënat tuaja në Regjistrin e Gjendjes Civile.
*Bëni kujdes me të dhënat që mund të kenë shkronjën “ë” ose “ç”.
- Pas plotësimit të të dhënave, do t’ju vijë një kod katër shifror me SMS në celularin tuaj, të cilin duhet ta vendosni në vendin bosh që do t’ju dalë në faqen e E-Albania.
- Më pas, klikoni në link-un e aktivizimit që do t’ju vijë në adresën tuaj të e-mail-it.
Kështu keni hapur një llogari në portalin E-Albania.
*Informacionet e mësipërme janë të bazuara në faqen e regjistrimit në portalin E-Albania.